SHOQATA EUROPIANE E PSIKOTERAPISË

PARIMET ETIKE:

Hyrje:

Psikoterapistët respektojnë dinjitetin dhe vlerën e individit si dhe përpiqen të ruajnë dhe të mbrojnë të drejtat themelore të njeriut.

Ata janë të angazhuar në zhvillimin e njohurive mbi sjelljen humane dhe të kuptuarin që kanë individët për veten dhe të tjerët si dhe përdorimin e këtyre njohurive për promovimin e mirëqenies njerëzore.

Gjatë përmbushjes së këtyre objektivave, ata bëjnë çdo përpjekje për të mbrojtur mirëqnien e atyre që kërkojnë shërbimin e tyre, të njerëzve të afërm me ata që përdorin shërbimet e tyre (kur kjo nuk bie në konflikt me nevojat e klientëve të tyre) si dhe të çdo pjesëmarrësi në kërkime shkencore që është objekt studimi.

Psikoterapistët respektojnë anëtarët e profesionit të tyre dhe ata në profesione të ngjashme, si dhe bëjnë çdo përpjekje, brenda mundësive të tyre dhe nëse nuk bien në konflikt me interest e klientëve të tyre, për të ndarë informacion të plotë dhe respekt reciprok.

Ata i përdorin aftësitë e tyre vetëm për qëllime në përputhje me këto vlera dhe nuk lejojnë keqpërdorimin e tyre nga të tjerët.

Ndërsa kërkojnë për veten liri informacioni dhe komunikimi, psikoterapistët pranojnë përgjegjësitë që kërkon kjo liri: kompetencën, objektivitetin në zbatimin e aftësive, dhe shqetësimin për interesin më të mirë të klientëve, kolegëve, studentëve, pjesëmarrësve në kërkime shkencore dhe anëtarëve të shoqërisë.

Në ndjekje të këtyre idealeve, psikoterapistët respektojnë parimet etike të detajuara si në fushat e mëposhtme:

  1. Përgjegjësia;
  2. Aftësitë;
  3. Standardet Morale & Ligjore;
  4. Konfidencialiteti;
  5. Mirëqenia e Klientëve;
  6. Marrëdhëniet Profesionale;
  7. Deklaratat Publike;
  8. Teknikat e vlerësimit;
  9. Kërkim shkencor.

Psikoterapistët bashkëpunojnë ngushtësisht me organizatat dhe shoqatat profesioniste, kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe me Shoqatën Europiane për Psikoterapi (EAP) duke iu përgjigjur menjëherë dhe plotësisht pyetjeve dhe kërkesave të komiteteve etike ose profesionale të këtyre oorganizatave apo shoqatave në të cilat janë anëtarë, apo të cilave iu përkasin.

Pranimi në Regjistrin e Çertifikatës Europiane të Psikoterapisë (ECP) e angazhon një psikoterapist t’i respektojë të gjitha këto parime.

 

PARIMI 1. PËRGJEGJËSIA

Parimi i përgjithshëm: Gjatë ofrimit të shërbimeve, psikoterapistët ruajnë standardet më të larta të profesionit të tyre. Ata pranojnë përgjegjësinë e pasojave të veprimeve të tyre dhe bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar që shërbimet e tyre të përdoren në mënyrën e duhur.

Parimi 1.a: Si praktikues, psikoterapistët janë në dijeni se mbajnë përgjegjësi të madhe sociale sepse rekomandimet dhe veprimet e tyre profesionale mund të ndryshojnë jetën e të tjerëve. Ata janë vigjilentë ndaj situatave personale, sociale, organizative, financiare, mjedisore ose politike, si dhe ndaj presioneve që mund të çojnë drejt keqpërdorimit të ndikimit të tyre.

Parimi 1.b: Paraprakisht, psikoterapistët qartësojnë me klientët e tyre të gjitha çështjet që mund t’i përkasin punës së përbashkët. Ata shmangin marrëdhëniet që mund të kufizojnë objektivitetin e tyre ose që mund të krijojnë konflikt interesi.

Parimi 1.c: Psikoterapistët kanë përgjegjësi për të bërë përpjekje për të parandaluar shtrembërimin, keqpërdorimin apo fshirjen e gjetjeve të tyre nga një institucion ose agjenci në të cilën janë të punësuar.

Parimi 1.d: Si anëtarë të strukturave kombëtare ose ndërkombëtare, psikoterapistët janë të përgjegjshëm si individë, sipas standardeve më të larta të profesionit të tyre.

Parimi 1.e: Si mësues ose trainues, psikoterapistët pranojnë si detyrimin e tyre kryesor të ndihmojnë të tjerët të fitojnë njohuri dhe shprehi. Ata ruajnë standardet më të larta duke ofruar informacion me objektivitet, të plotë dhe me saktësi.

Parimi 1.f: Si kërkues shkencorë, psikoterapistët pranojnë përgjegjësine për të përzgjedhur temat dhe metodat e kërkimit të tyrë që do të përdoren në zbulim, analizim dhe raportim.

Ata e planifikojnë hulumtimin e tyre duke minimizuar mundësinë që gjetjet e tyre të jenë çorientuese. Ata ofrojnë një diskutim të plotë të kufizimeve të të dhënave të tyre, veçanërisht në rastet kur puna e tyre prek politikat sociale ose mund të interpretohet në dëm të individëve në moshë, gjini, etni, situatë socio-ekonomike, apo grup social të caktuar, apo në ndonjë tjetër grup social. Në raportet e publikuara mbi punën e tyre, ata nuk fshijnë kurrë të dhënat jokonfirmuese, dhe pranojnë ekzistencën e hipotezave dhe shpjegimeve alternative të gjetjeve të tyre. Psikoterapistët marrin meritat vetëm për punën që kanë kryer. Paraprakisht, ata qartësojnë të gjithë personat dhe agjencitë e përshtatshme mbi pritshmëritë për ndarjen dhe përdorimin e gjetjeve të kërkimeve shkencore. Ndërhyrja në mjedisin në të cilin mblidhen të dhënat mbahet në minimum.


PARIMI 2: AFTËSITË

Parimi i përgjithshëm: Ruajtja e standardeve të larta të aftësive është përgjegjësi e të gjithë psikoterapistëve në interesin e publikut dhe të profesionit në tërësi.

Psikoterapistët njohin kufijtë e aftësive të tyre dhe kufizimet e teknikave të tyre. Ata ofrojnë vetëm ato shërbime dhe përdorin vetëm ato teknika për të cilat ata janë kualifikuar përmes trainimeve dhe përvojës. Në ato fusha në të cilat standardet zyrtare nuk ekzistojnë ende, psikoterapistët marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur mirëqënien e klientëve të tyre. Ata zotërojnë njohuri lidhur me informacionin ekzistues shëndetësor, shkencor dhe professional mbi shërbimet që ofrojnë.

Parimi 2.a: Psikoterapistët përfaqësojnë saktë aftësitë, arsimimin, trainimin dhe përvojën e tyre. Ata zotërojnë si dëshmi të kualifikimit arsimor dhe profesional vetëm ato grada apo kualifikime të siguruara/të marra nga institucione arsimore të respektuara, ose nga ato të njohura nga EAP. Ata sigurohen që të përmbushin standardet minimale profesionale siç parashikohen nga EAP, nga kriteret e Organizatës Kombëtare përkatëse të Çertifikimit, dhe kriteret përkatëse të Organizatës Europiane të Akreditimit në modalitetin ose metodën e tyre, aty ku ekzistojnë. Gjithashtu, ata respektojnë burimet e tjera të edukimit, trainimit dhe përvojës që kanë fituar.

Parimi 2.b: Si praktikues, por edhe si mësues ose trainerë, psikoterapistëti kryejnë detyrat e tyre bazuar në përgatitje paraprake, në mënyrë që praktika e tyre të jetë sipas standarteve më të larta, ndërsa komunikimi të jetë i saktë, i përditësuar dhe në përputhje me çështjen.

Parimi 2.c: Psikoterapistët njohin nevojën për edukim të vazhduar në edukim dhe zhvillim personal dhe janë të hapur ndaj procedurave të reja dhe ndryshimeve që ndodhin me kalimin e kohës në lidhje me pritshmëritë dhe vlerat.

Parimi 2.d Psikoterapistët pranojnë dallimet midis individëve, si ato të lidhura me moshën, seksin, statusin socio-ekonomik, etnik ose me nevojat e veçanta të atyre që mund të kenë qenë posaçërisht në disavantazh. Ata marrin trainimin, përvojën ose këshillimin e nevojshëm për të garantuar shërbime kompetente dhe të përshtatshme, në lidhje me këta persona.

Parimi 2.e: Psikoterapistët përgjegjës për vendimet që përfshijnë individë ose politika bazuar në rezultatet e testeve, njohin mjetet matëse psikologjike ose arsimore, problemet të vlefshmërisë dhe kërkimet shkencore mbi testet.

Parimi 2.f: Psikoterapistët pranojnë se problemet dhe konfliktet personale mund të ndërhyjnë duke vështirësuar efektivitetin profesional. Kështu, ata nuk ndërmarrin veprimtari në të cilat problemet personale mund të dëmtojnë performancën e tyre ose klientin, kolegët, studentët ose pjesëmarrësit në kërkime shkencore. Në rastet kur janë të përfshirë në aktivitete të tilla, kur ata bëhen të vetëdijshëm për problemet e tyre personale, kërkojnë ndihmë profesionale për të vendosur nëse duhet të pezullojnë, përfundojnë ose të kufizojnë qëllimin e veprimtarive të tyre profesionale.

Parimi 2.g: Psikoterapistët të cilët hyjnë në fusha të reja të veprimtarisë sigurohen që më parë të kenë përmbushur të gjithë trainimin dhe kërkesat profesionale lidhur me atë fushë të veprimtarisë, përpara fillimit të praktikës, dhe që aktiviteti i tyre në këtë fushë të re të jetë sipas standardit më të lartë të mundshëm. Ata sigurojnë që të mos të ketë përzierje, paqartësi ose konflikt me ndonjë veprimtari tjetër ekzistuese.

 

PARIMI 3: STANDARDET MORALE DHE LIGJORE

Parimi i përgjithshëm: Standardet morale dhe etike të sjelljes së psikoterapistëve janë çështje personale njësoj siç janë për çdo qytetar tjetër, përveç rasteve kur ato mund të dëmtojnë përmbushjen e përgjegjësisë së tyre profesionale ose mund të ulin besimin e publikut të psikoterapia dhe psikoterapistët. Në lidhje me sjelljen e tyre në nivel personal, psikoterapistët janë të ndjeshëm ndaj standardeve mbizotëruese të komunitetit dhe ndaj ndikimit që mund të ketë konformizmi ose devijimi nga këto standarde në cilësinë e punës së tyre si psikoterapistë. Gjithashtu, psikoterapistët janë të vetëdijshëm për ndikimin që ka sjellja e tyre publike në aftësinë e kolegëve për të kryer detyrimet profesionale.

Parimi 3.a: Si profesionistë, psikoterapistët veprojnë në përputhje me parimet e EAP, të Organizatës Kombëtare të Vlerësimit (NAO) si dhe sipas standardeve dhe udhëzimeve të organizatës osë institucionit të tyre, të lidhura me praktikën. Gjithashtu, psikoterapistët i përmbahen kuadrit ligjor dhe rregullave të shtetit përkatës. Nëse ligjet dhe rregulloret europiane, kombëtare, organizative ose institucionale nuk përputhen me EAP, NAO, ose me standardet dhe udhëzimet e institucionit ose shoqatës së tyre, psikoterapistët bëjnë të njohur angazhimin për të përmbushur standardet dhe udhëzimet e EAP, NAO dhe të shoqatës ose institucionit tyre dhe aty ku është e mundur punojnë drejtë zgjidhjes së mospërputhjes. Si profesionistë, ata punojnë në zhvillimin e rregulloreve ligjore dhe pothuaj ligjore që i shërbejnë më së miri interesit publik, si dhe punojnë drejt ndryshimit të rregullave ekzistuese, të cilat nuk i shërbejnë interesit publik.

Parimi 3.b: Si punëmarrës ose punëdhënës, psikoterapistët nuk përfshihen ose shpërfillin çdo praktikë çnjerëzor,e ose që sjell veprime të paligjshme ose të pajustifikueshme. Praktika të tilla përfshijnë, por nuk kufizohen, në ato bazuar mbi konsiderata lidhur me racën, aftësinë e kufizuar, moshën, gjininë, orientimin seksual, fenë ose origjinën, në punësim, promovim ose trajnim.

Parimi 3.c: Në pozicionin si profesionistë, psikoterapistët shmangin çdo veprim që dhunon apo zhvlerëson të drejtat e njeriut, të drejtat ligjore dhe civile të klientëve dhe/ose të të tjerëve të përfshirë.

Parimi 3.d: Si praktikues, mësues, trainues dhe kërkues shkencorë, psikoterapistët janë në dijeni të faktit se vlerat e tyre personale mund të ndikojnë mënyrën e tyre të komunikimit, përdorimin e teknikave, zgjedhjen dhe prezantimin e pikëpamjeve ose materialeve dhe llojin ose zbatimin e kërkimit shkencor. Gjatë përballjes me çështje që mund të shkaktojnë fyerje, ata pranojnë dhe respektojnë qëndrimet e ndryshme dhe ndjeshmërinë individuale që kanë klientët, studentët, të trainuarit apo subjektet e kërkimit shkencor, ndaj çështjeve të tilla.


PARIMI 4. KONFIDENCIALITETI

Parimi i përgjithshëm: Psikoterapistët kanë detyrim parësor ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit të përfituar gjatë punës së tyre si psikoterapistë. Ata mund ta ndajnë këtë informacion me të tjerë vetëm me miratimin e personit (ose përfaqësuesit ligjor të personit), me përjashtim të rrethanave të pazakonta kur mos ndarja e informacionit mund të rezultojë në rrezik të qartë për personin ose për të tjerë. Psikoterapistët i informojnë klientët e tyre për kufizimet ligjore të konfidencialitetit. Personi në fjalë duhet të japë miratimin për ndarjen e informacionit me të tjerët në formë të shkruar.

Parimi 4.a: Informacioni i përfituar në marrëdhënie klinike ose këshillimi, ose gjatë vlerësimit të të dhënave mbi fëmijët, studentët, punonjësit ose të tjerë, diskutohet vetëm për qëllime profesionale dhe vetëm me persona që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me çështjen. Raportet e shkruara ose të referuara me paraqesin vetëm të dhëna të lidhura me qëllimin e vlerësimit ose referimit, si dhe bëhet çdo përpjekje për të shmangur cënimin e panevojshëm të privacisë.

Parimi 4.b: Psikoterapistët të cilët paraqesin në shkrime, leksione ose në forume të tjera publike, të dhëna personale që kanë marrë gjatë punës profesionale, ose duhet të kenë marrë më parë miratimin për të përdorur këtë informacion ose duhet të fshehin në mënyrë të përshtatshme të gjithë informacionin identifikues.

Parimi 4.c: Psikoterapistët marrin masa për ruajtjen e konfidencialitetit në ruajtjen dhe asgjësimin e të dhënave, edhe në rastin e mungesës të tyre.

Parimi 4.d: Gjatë punës me minorenë ose me persona të tjerë të cilët nuk mund të japin miratimin në mënyrë të vullnetshme dhe të informuar, psikoterapistët kujdesen në mënyrë të veçantë për të mbrojtur interesin më të mirë të këtyre personave dhe këshillohen me persona të tjerë të të përfshirë në mënyrë të përshtatshme.

 

PARIMI 5: MIRËQENIA E KLIENTIT

Parimi i përgjithshëm: Psikoterapistët respektojnë integritetin dhe ruajnë mirëqënien e individëve dhe grupeve me të cilët punojnë. Në rast konflikti interesi midis klientëve dhe institucionit në të cilën punon psikoterapisti, ai vetë duhet të qartësojë për besnikërinë dhe përgjegjësinë si dhe të informojë palët për angazhimin e tyre. Psikoterapistët u ofrojnë informacion të plotë klientëve mbi qellimin dhe natyrën e procedurave vlerësuese, trajtuese, arsimore, ose të trainimit, si dhe vënë në dijeni se klientët, studentët, pjesëmarrësit në kërkime shkenore janë të lirë të vendosin nëse dëshirojnë të marrin pjesë. Nuk është etik detyrimi i individëve për të marrë pjesë ose për të mbetur brenda sistemit të shërbimeve.

Parimi 5.a: Psikoterapistët janë vazhdimisht në dijeni të nevojave të tyre si dhe të pozicionit të tyre potencialisht ndikues përballë individëve të tillë si klientët, studentët, të trainuarit, subjektet dhe vartësit. Ata nuk shfrytëzojnë besimin dhe varësinë e këtyre personave.

Psikoterapistët bëjnë të gjitha përpjekjet për të shmangur marrëdhëniet e dyfishta që mund të dëmtojnë gjykimin e tyre profesional ose që mund të rrisin rrezikun e shfrytëzimit ose të manipulimit të tjetrit. Shembuj të marrëdhënieve të dyfishta përfshijnë, por nuk kufizohen me trajtimin profesional ose kërkimin shkencor me punonjësit, studentët, të supervizuarit, miqtë e ngushtë ose të afërmit. Marrëdhëniet seksuale më klientët, studentët, të trainuarit dhe pjesëmarrësit në kërkime shkencore janë jo etike.

Parimi 5.b: rast se psikoterapisti pranon t’i ofrojë shërbim një klienti me kërkesë të palëve të treta, psikoterapisti është përgjegjës për të qartësuar natyrën e marrëdhënies të të gjitha palëve të përfshira.

Parimi 5.c: Në rast se kërkesat e një organizate e detyrojnë psikoterapistin të shkelë këto ose parime të tjera etike, psikoterapistët duhet të qartësojnë natyrën e konfliktit midis kërkesave dhe parimeve. Ata vënë në dijeni të gjitha palët mbi përgjegjësitë e tyre etike si psikoterapistë dhe ndërmarrin veprimet e duhura.

Parimi 5.d: Psikoterapistët kryejnë paraprakisht plane financiare të cilat ruajnë interesin më të mirë të klientëve, studentëve, të trajnuarve dhe pjesëmarrësve në kërkime shkencore dhe kuptohen qartë prej tyre. Në rastet e referimit të klientëve për shërbime profesionale nuk japin ose nuk marrin kompensim. Ata kontribuojnë me një pjesë të shërbimeve të tyre për punë, për të cilat ata paguhen pak ose aspak.

Parimi 5.e: Psikoterapistët përfundojnë një marrëdhënie klinike ose këshillimi sapo duket qartazi që klienti nuk po përfiton më prej saj, ose në rast se klienti kërkon që ta përfundojë këtë marrëdhënie. Ata tregojnë gatishmëri për të ndihmuar klientin të gjejë burime alternative të ndihmës.

 

PARIMI 6: MARRËDHËNIET PROFESIONALE

Parimi i Përgjithshëm: Psikoterapistët veprojnë me kujdesin e duhur për nevojat, aftësitë dhe detyrimet e kolegëve në psikoterapi, psikologji, mjekësi dhe profesione të tjera. Ata respektojnë të drejtat e posaçme dhe detyrimet e institucioneve ose organizatave me të cilat këta kolegë të tjerë punojnë.

Parimi 6.a: Psikoterapistët i njohin fushat e kompetencave të profesioneve të ngjashme. Ata përdorin plotësisht të gjitha aftësitë profesionale, burimet teknike dhe administrative në interesin më të mirë të përdoruesve të shërbimit. Mungesa e marrëdhënieve formale me profesionistë të tjerë nuk i lehtëson psikoterapistët nga përgjegjësia për t’u ofruar klientëve të tyre shërbimin më të mirë profesional, si dhe nuk i lehtëson ata nga detyrimi për të ushtruar largpamësi, zell dhe takt në marrjen e ndihmës së nevojshme shtesë ose alternative.

Parimi 6.b: Psikoterapistët njohin dhe marrin në konsideratë traditat dhe praktikat e grupeve të tjera të profesionistëve me të cilët punojnë, dhe bashkëpunojnë ngushtësisht me këto grupime. Nëse një individ merr shërbime të ngjashme nga një profesionist tjetër, psikoterapisti merr në konsideratë këtë marrëdhënie profesionale dhe procedon me kujdes dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve terapeutike, si dhe ndaj mirëqënies së klientit. Psikoterapisti i diskuton këto çështje meklientin me qëllim të reduktohet konflikti dhe konfuzioni si dhe synon, kurdo që është e mundur, të mbajë marrëdhënie të qarta dhe të dakordësuara me profesionistë të tjerë të përfshirë.

Parimi 6.c: Psikoterapistët të cilët punësojnë ose supervizojnë profesionistë të tjerë ose profesionistët në proces trainimi pranojnë të lehtësojnë zhvillimin profesional të mëtejshëm të këtyre individëve dhe të ndërmarrin hapa për të siguruar aftësimin e tyre. Ata ofrojnë kushte të mira në vendet e punës, këshillim konstruktiv, vlerësim që zhvillohet në kohën e duhur dhe mundësi për të krijuar përvoja.

Parimi 6.d: Psikoterapistët nuk i shfrytëzojnë marrëdhëniet e tyre profesionale me klientët, të supervizuarit, studentët ose pjesëmarrësit në kërkime shkencore për qëllime seksuale ose për favore të tjera. Psikoterapistët nuk duhet të kryejnë ngacmime seksuale. Sipas përkufizimit, ngacmime seksuale do të përfshijnë komente, gjeste ose kontakte fizike të përsëritura me natyrë seksuale, të padëshiruara nga personi tjetër.

Parimi 6.e: Në rastet kur një psikoterapist është në dijeni se një psikoterapist tjetër ka kryer shkelje të etikës, nëse është e përshtatshme, ata përpiqen të zgjidhin çështjen në mënyrë jo zyrtare, duke ia vënë në pah sjelljen psikoterapistit. Nëse bëhet fjalë për një sjellje të papërshtatshme jo shumë të dëmshme dhe/ose që ka ndodhur për shkak të mungesës së ndjeshmërisë, njohurive ose përvojës, atëherë zgjidhja jo zyrtare zakonisht është e përshtatshme. Ndërhyrje të tilla jo zyrtare bëhen me ndjeshmëri ndaj çdo të drejte për konfidencialitet. Nëse shkelja e etikës nuk është e korrigjueshme përmes zgjidhjes jo zyrtare, ose është shkelje e rëndë, psikoterapistët e adresojnë ate tek institucionet, shoqatat ose komitetet përkatëse që menaxhojnë etikën dhe sjelljen profesionale.

Parimi 6.f: Kreditet për publikime u jepen atyre që kanë kontribuar në një publikim në raport me kontributin e tyre profesional. Kontributeve madhore profesionale të bëra nga disa persona për një projekt të përbashkët iu njihet autorësia në grup, ku në krye të listës qëndron personi që ka dhënë kontributin më të madh. Ata që kanë dhënë kontribut të vogël me natyrë profesionale ose mbështetje administrative apo ndihmë të ngjashme joprofesionale, mund të përmenden në fjalën hyrëse të studimit ose në një shënim në fund të faqes. Njohja përmes citimeve specifike bëhet për materiale të publikuara ose jo që kanë pasur ndikim të drejtëpërdrejtë në kërkimin shkencor apo në shkrim. Psikoterapistët të cilët përpilojnë dhe redaktojnë materialin për publikim të të tjerëve, e publikojnë atë në emër të grupit që ka punuar për të, dhe nëse është e nevojshme, përfshijnë emrin e tyre si udhëheqës ose redaktues. Në publikim njihen dhe emërtohen të gjithë ata që kanë kontribuar

Parimi 6.g: Gjatë kryerjes së kërkimit shkencor në institucione ose organizata, psikoterapistët marrin autorizimin/lejen e përshtatshme për të kryer ata. Ata janë të ndërgjegjshëm për detyrimin e tyre ndaj kërkuesve të ardhshëm shkencore dhe sigurohen që institucionet pritëse të marrin informacion të plotë mbi kërkimin shkencor si dhe vlerësimin e duhur të kontributit të tyre.

 

PARIMI 7: DEKLARIMET PUBLIKE

Parimi i përgjithshëm: Deklarimet publike, njoftimet për shërbimet, reklamimi dhe promovimi i aktiviteteve të psikoterapistëve e ndihmojnë publikun të bëjë gjykime dhe zgjedhje të informuara. Psikoterapistët prezantojnë në mënyrë të qartë dhe objektive kualifikimet, angazhimet dhe funksionet e tyre, ashtu si edhe ato të institucioneve ose organizatave me të cilat kanë lidhje ata vetë ose deklarimet e tyre. Në deklarimet publike në të cilat ofrohet informacion psikoterapeutik, opinione profesionale ose informacion mbi disponueshmërinë e teknikave, produkteve, publikimeve dhe shërbimeve, psikoterapistët i bazojnë deklaratat e tyre mbi gjetje dhe teknika përgjithësisht të pranuara, si dhe me njohjen e plotë të kufizimeve dhe pasigurive të këtyre evidencave.

Parimi 7.a: Në rastet e njoftimit ose reklamimit të shërbimeve profesionale, psikoterapistët mund të listojnë informacionin e mëposhtëm për të përshkruar ofruesin e shërbimit dhe llojin e shërbimit të ofruar: emrin, kualifikimin më të lartë akademik përkatës ose çertifikatën e trainimit të fituar nga një institucion i akredituar, datën, lloji, zotërimin e ECP, anëtarësinë e organizatave të psikoterapisë dhe strukturave profesionalisht të ngjashme, adresën, numrin e telefonit, orarin e punës, një listë të shkurtër të llojit të shërbimeve psikologjike të ofruara, një prezantim të përshtatshëm të informacionin mbi pagesën, gjuhët e huaja të folura, politikat në lidhje me sigurimin ose pagesat e palëve të treta si dhe informacione të tjera të shkurtra dhe me vend. Në këtë pikë mund të përfshihet çdo informacion tjetër i rëndësishëm apo me vend për konsumatorët, nëse nuk ndalohet nga seksione të tjera të këtyre Parimeve Etike.

Parimi 7.b: Në njoftimin ose reklamimin e disponueshmërisë së shërbimeve ose publikimeve psikoterapeutike, psikoterapistët nuk e prezantojnë lidhjen e tyre me ndonjë organizatë në mënyrë të tillë që nëkupton në mënyrë të pavërtetë donacionin ose çertifikimin nga ajo organizatë. Në veçanti dhe për shembull, psikoterapistët nuk e përmendin regjistrimin në nivel Europian, kombëtar ose statusin institucional apo në shoqatë, në një mënyrë që sugjeron se ky status nënkupton aftësitë profesionale oe kualifikime të specializuara. Deklarimet publike përfshijnë, por nuk kufizohen me komunikimin përmes periodikëve, librave, listave, internetit, televizionit, radios ose mjeteve vizuale. Ato nuk përmbajnë (i) deklaratë të pavërtetë, çorientuese, mashtruese ose të padrejtë; (ii) keqinterpretim të fakteve ose interpretim të njëanshëm të fakteve; (iii) dëshminë e një pacienti mbi cilësinë e shërbimeve ose produkteve të psikoterapistit; (iv) një deklaratë që synon apo ka gjasa të krijojë pritshmëri të rreme ose të pajustifikueshme ndaj disa rezultateve të dëshiruara; (v) një deklaratë që nënkupton aftësi të pazakonta, të veçanta ose unike; (vi) një deklaratë që synon apo ka gjasa t’i bëjë thirrje frikërave, ankthit ose emocioneve të klientit që lidhet me rezultatin e mundshëm të pamundësisë për të marrë shërbimet e ofruara; (vii) një deklaratë mbi dëshirueshmërinë e krahasueshme të shërbimeve të ofruara; (viii) një deklaratë në formën e kërkesës së drejtëpërdrejtë ndaj klientëve individualë.

Parimi 7.c: Psikoterapistët nuk japin ose nuk këmbejnë gjëra me vlerë me përfaqësues të shtypit, radios, televizionit ose të mjeteve të tjera të komunikimit në këmbim të reklamimit të vetes në një event lajmesh. Një reklamë e paguar duhet përcaktuar si e tillë, përveçse kur është e dukshme nga konteksti se është e tillë. Nëse komunikimi me audiencën kryhet përmes radios ose televizionit, reklamimi duhet të regjistrohet dhe të miratohet për transmetim më parë nga psikoterapisti. Kopjet e reklamës dhe regjistrimet e transmetimit janë pronësi e psikoterapistit.

Parimi 7.d: Njoftimet ose reklamimet mbi “grupet për rritjen personale”, sesionet e grupeve me interes të veçantë, kurset, klinikat, trainimet dhe agjencitë, ofrojnë informacion dhe shpjegim të qartë mbi qëllimin e përvojës ose trajnimit që ofrohet. Arsimimi, trajnimi dhe përvoja e anëtarëve të personelit specifikohet qartë dhe bëhet e disponueshme përpara fillimit të grupit, kursit të trajnimit apo shërbimeve. Përpara pjesëmarrjes ose përfshirjes në shërbime bëhet i disponueshëm informimi i qartë mbi pagesat dhe marrëveshjet kontraktuale.

Parimi 7.e: Psikoterapistët e lidhur me zhvillimin ose promovimin e teknikave, produkteve, librave psikoterapeutikë apo të tillave të ngjashme të ofruara për shitje, bëjnë përpjekje të arsyeshme për t’u siguruar që reklamimi dhe lajmërimi të bëhet në mënyrë profesionale, shkencërisht të pranueshme, etike dhe informuese.

Parimi 7.f: Psikoterapistët nuk marrin pjesë për përfitime personale në reklama ose njoftime reklamuese që i rekomandojnë publikun blerjen ose përdorimin e produkteve ose shërbimeve të pronësisë apo nga një burim i vetëm, kur kjo pjesëmarrje bazohet vetëm në të identifikimin e tyre si psikoterapist.

Parimi 7.g: Psikoterapistët prezantojnë shkencën dhe artin e psikoterapisë dhe i ofrojnë në mënyrë të drejtë dhe të duhur shërbimet, produktet dhe publikimet e tyre, duke shmangur keqinterpretimin përmes pompozitetit, ekzagjerimit ose të qenit sipërfaqësor. Psikoterapistët udhëhiqen nga detyrimi parësor për të ndihmuar publikun të zhvillojë gjykime, opinione dhe zgjedhje të informuara.

Parimi 7.h: Si mësues, psikoterapistët sigurojnë që informacioni në fletushka dhe në përshkrimet e kursit të jetë i saktë, veçanërisht në termat e çështjes për t’u trajtuar, bazave për vlerësimin e ecurisë dhe natyrës së përvojës përgjatë kursit. Njoftimet, broshurat ose reklamat mbi seminaret, punëtoritë ose programe të tjera arsimore përshkruajnë saktë audiencën për të cilën është ndërtuar programe, si dhe kriteret e pranimit, objektivat arsimore dhe llojin e materialeve që do të mbulohen. Gjithashtu, këto njoftime prezantojnë saktë nivelin arsimor, trajnimin dhe përvojën e psikoterapistëve që përfaqësojnë programin si dhe çdo pagesë përkatëse.

Parimi 7.i: Njoftimet ose reklamat që nxisin pjesëmarrësit të marrin pjesë në kërkime shkencore në të cilat shërbimet klinike ose shërbime të tjera profesionale ofrohen si nxitës, bëjnë të qartë llojin e shërbimeve si dhe kostot dhe detyrimet e tjera pëër t’u pranuar nga pjesëmarrësit në kërkimin shkencor.

Parimi 7.j: Një psikoterapist pranon detyrimin për të korrigjuar të tjerë të cilën prezantojnë kualifikimet profesionale të psikoterapistit, ose shoqërimin me produkte apo shërbime, në një mënyrë të papajtueshme me këto udhëzime.

Parimi 7.k: Shërbimet diagnostikuese dhe terapeutike individuale ofrohen vetëm në kontekstin e një marrëdhënieje profesionale psikoterapeutike. Në rastet kur ofrohen këshilla personale përmes mjeteve të leksioneve apo demonstrimeve publike, gazetave apo artikujve të revistave, programeve të radios apo televizive, postës apo mediave të ngjashme, psikoterapisti përdor informacionin më aktual dhe të përshtatshëm dhe ushtron gjykimin profesional në nivelet më të larta të tij.

Parimi 7.l: Produktet të cilat prezantohen përmes leksioneve apo demonstrimeve publike, artikujve të revistave dhe gazetave, programeve të radios apo televizive, postës apo mediave të ngjashme, përmbushin të njëjta standarte të njohura që ekzistojnë për produktet që përdoren në kontekstin e një marrëdhënieje profesionale.

 

PARIMI 8: TEKNIKAT E VLERËSIMIT

Parimi i përgjithshëm: Në zhvillimin, publikimin dhe përdorimin e teknikave psikoterapeutike ose psikologjike të vlerësimit, psikoterapistët bëjnë të gjitha përpjekjet për të promovuar mirëqenien dhe interesin më të mirë të klientit. Ata kujdesen ndaj keqpërdorimit të rezultateve të vlerësimit. Ata respektojnë të drejtën e klientit për t’u njohur me rezultatet, interpretimet e bëra, si dhe bazat e përfundimeve dhe rekomandimeve. Psikoterapistët bëjnë çdo përpjekje për të ruajtur sigurinë e testeve dhe teknikave të tjera të vlerësimit brenda kufijve të mandateve të tyre ligjore. Ata përpiqen të sigurojnë përdorimin e duhur të teknikave të vlerësimit nga të tjerët.

Parimi 8.a: Gjatë përdorimit të teknikave të vlerësimit, psikoterapistët respektojnë të drejtën e klientëve për të pasur shpjegime të plota mbi llojin dhe qëllimin e teknikave në një gjuhë të kuptueshme nga klienti, përveç rasteve kur përjashtohen nga kjo e drejtë sipas një marrëveshje të qartë mëparshme. Kur informacioni shpjegues ofrohet nga palë të treta, psikoterapistët krijojnë procedura që sigurojnë ofrimin e shpjegimeve të përshtatshme.

Parimi 8.b: Psikoterapistët përgjegjës për zhvillimin dhe standardizimin e testeve psikologjike dhe teknika të tjera të vlerësimit, përdorin procedura shkencore të përcaktuara dhe kanë vëmendje ndaj standardeve përkatëse të EAP, atyre kombëtare, institucionale apo organizative.

Parimi 8.c: Në raportimin e rezultateve të vlerësimit, psikoterapistët tregojnë çdo rezervë që ekziston në lidhje me vlefshmërinë ose besueshmërinë për shkak të rrethanave në të cilat është ndërmarrë vlerësimi ose të papërshtatshmërisë së normave për personin e testuar. Psikoterapistët përpiqen të sigurojnë që rezultatet e vlerësimeve dhe interpretimet e tyre të mos keqpërdoren nga të tjerët.

Parimi 8.d: Psikoterapistët pranojnë se rezultatet e vlerësimit mund ta humbasin dobishmërinë dhe nuk paraqesin një pamje të plotë të personit të vlerësuar. Ata bëjnë çdo përpjekje për të shmangur dhe parandaluar keqpërdorimin e matjeve që nuk përdoren më ose të vlerësimeve të papërfunduara.

Parimi 8.e: Psikoterapistët që ofrojnë shërbime vlerësimi dhe interpretimi janë të aftë të gjenerojnë evidenca të përshtatshme për vlefshmërinë e programeve dhe procedurave që janë përdorur për të arritur në këto interpretime. Ofrimi publik i një shërbimi interpretimi konsiderohet si konsultim midis profesionistësh. Psikoterapistët bëjnë çdo përpjekje për të shmangur keqpërdorimin e raporteve të vlerësimit.

Parimi 8.f: Psikoterapistët nuk nxisin ose nuk promovojnë përdorimin e teknikave të vlerësimit psikoterapeutik ose psikologjik nga persona që nuk janë të trainuar në mënyrë të përshtatshme, apo personave jo të kualifikuar përmes mësimit, donacionit, ose supervizimit.

 

PARIMI 9: KËRKIMI SHKENCOR

Parimi i Përgjithshëm: Vendimi për të ndërmarrë kërkime shkencore bazohet në gjykimin e vetë psikoterapistit se si të kontribuojë sa më mirë në shkencat humane dhe mirëqënien e njerëzve. Pasi është marrë vendimi për të ndërmarrë kërkimin shkencor, psikoterapisti shqyrton alternativat ku mund të kanalizojë investimin e energjive dhe burimeve të kërkimit shkencor. Bazuar në këtë, psikoterapisti e ndërmerr kërkimin shkencor duke respektuar dinjitetin dhe mirëqënien e pjesëmarrësve si dhe merr në konsideratë rregullat dhe standardet profesionale që udhëheqin kërkimin shkencor me pjesëmarrës qeniet njerëzore.

Parimi 9.a: Në planifikimin e studimit, psikoterapisti i cili ndërmerr investigimin (investiguesi) ka përgjegjësinë të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të pranueshmërisë etike. Në masën që rëndësia e vlerave shkencore dhe humane sugjerojnë kompromis me çdo parim, psikoterapisti ka një detyrim serioz të kërkojë këshilla etike dhe të vendosë masa mbrojtëse të rrepta për të ruajtur të drejtat e njeriut të pjesëmarrësve.

Parimi 9.b: Është shqetësim parësor etik për psikoterapistin të shqyrtojë nëse pjesëmarrësit në një studim të planifikuar janë “subjekt në rrezik” ose “subjekt në rrezik minimal”, sipas standardeve të pranuara.

Parimi 9.c: Investiguesi është përgjegjës për sigurimin e një praktike etike në kërkim shkencor. Gjithashtu, investiguesi është përgjegjës për trajtimin etik të pjesëmarrësve në kërkim shkencor nga bashkëpunëtorët, asistentët, studentët, dhe punonjësit, të cilët gjithashtu kanë detyrime të ngjashme.

Parimi 9.d: Përveç hulumtimeve me rrezik të ulët, investiguesi bën një marrëveshje të qartë dhe të drejtë me pjesëmarrësit në kërkim shkencor, përpara pjesëmarrjes së tyre, në të cilën qartësohen detyrimet dhe përgjegjësitë e palëve. Investiguesi ka detyrimin të respektojë të gjitha premtimet dhe angazhimet që parashtrohen në marrëveshje. Investiguesi i informon pjesëmarrësit për të gjitha aspektet e kërkimit shkencor, për të cilat mund pritet që të ndikojnë dëshirën për të qenë pjesëmarrës si dhe shpjegon të gjitha aspektet e kërkimit shkencor, mbi të cilat pjesëmarrësit mund të kenë pyetje. Nëse nuk ofrohet ky informacion i plotë përpara se pjesëmarrësit të japin miratimin e tyre të informuar, kjo kërkon masa të tjera për të mbrojtur mirëqenien dhe dinjitetin e pjesëmarrësve në kërkim shkencor. Kërkimi shkencor me fëmijë ose me pjesëmarrës me aftësi të kufizuara që mund të kufizonin të kuptuarit dhe/ose komunikimin, kërkon procedura të veçanta mbrojtëse.

Parimi 9.e: Kërkesat metodologjike të një studimi mund të bëjnë që përdorimi i taktikave fshehëse ose mashtruese të duket i nevojshëm. Përpara fillimit të një studimi të tillë, investiguesi ka përgjegjësi të veçantë të (i) përcaktojë nëse përdorimi i teknikave të tilla justifikohet për shkak të vlerës së ardhsme shkencore, arsimore ose të nënkuptuar të studimit; (ii) përcaktojë nëse ka procedura alternative të disponueshme, të cilat nuk përdorin fshehjen ose mashtrimin; dhe (iii)të sigurojë që pjesëmarrësit të marrin informacion të mjaftueshëm sa më shpejt që të jetë e mundur. Ekziston një supozim për të mos përdorur teknika të tilla.

Parimi 9.f: Investiguesi respekton lirinë e individit për të refuzuar pjesëmarrjen ose tërheqjen nga kërkimi shkencor në çdo kohë. Detyrimi për të mbrojtur këtë liri kërkon konsideratë dhe mendim të kujdesshëm kur investiguesi është në një pozicion autoriteti ose ndikimi mbi pjesëmarrësin. Pozicione të tilla autoriteti përfshijnë, por nuk kufizohen në situata në të cilat pjesëmarrja në kërkim shkencor kërkohet si pjesë e punësimit ose në të cilat pjesëmarrësi është student, klient ose punëmarrës i investiguesit. Të drejtat e individit dominojnë mbi nevojat e investiguesit për të përfunduar kërkimin shkencor.

Parimi 9.g: Investiguesi mbron pjesëmarrësin nga parehatia, lëndimi dhe rreziku fizik dhe mendor që mund të shkaktohet për shkak të proçedurave të kërkimit shkencor. Nëse rreziku i këtyre pasojave ekziston, investiguesi i informon pjesëmarrësit mbi këtë. Procedurat e kërkimit shkencor që kanë gjasa të shkaktojnë dëme serioze ose afatgjata për një pjesëmarrës nuk përdoren, përveç rastit kur mospërdorimi i këtyre procedurave mund ta ekspozojë pjesëmarrësin ndaj rrezikut të dëmeve më të mëdha, ose përveç rastit kur kërkimi shkencor ka përfitime të mëdha potenciale dhe kur është marrë miratimi i plotë, i informuar dhe vullnetar nga çdo pjesëmarrës. Pjesëmarrësi duhet të informohet mbi procedurat që duhet të ndjekë për të kontaktuar investiguesin brenda një periudhe të arsyeshme kohore pas pjesëmarrjes, nëse shfaqet stres, dëmtime të mundshme, apo ngrihen pyetje dhe shqetësime përkatëse. Miratimi i dhënë nga pjesëmarrësi nuk kufizon të drejtat e tyre ligjore ose nuk zvogëlon përgjegjësinë ligjore të investiguesit.

Parimi 9.h: Pas mbledhjes së të dhënave, investiguesi i ofron informacion pjesëmarrësit mbi qellimin e studimit dhe përpjekjet për të ndryshuar çdo keqperceptim që mund të ketë lindur. Kur vlerat njerëzore ose shkencore justifikojnë vonesën ose mungesën e ndarjes së këtij informacion, investiguesi ka përgjegjësi të veçantë për të monitoruar kërkimin shkencor dhe për t’u siguruar se nuk ka pasoja dëmtuese për pjesëmarrësin.

Parimi 9.i: Në rastet kur procedurat e hulumtimit rezultojnë në pasoja të padëshirueshme për pjesëmarrësin, investiguesi ka përgjegjësinë të vërejë dhe largojë ose të korrigjojë këto pasoja, përfshi pasojat afatgjata.

Parimi 9.j: Informacioni që përftohet nga pjesëmarrësit në kërkim shkencor është konfidencial, vetëm në rast se është rënë dakord për të kundërtën më parë. Kur ekziston mundësia që të tjerë mund të kenë akses ndaj këtij informacioni, atëherë kjo mundësi, së bashku me planet për të ruajtur konfidencialitetin, i shpjegohet pjesëmarrësit si pjesë e procedurës për përftimin e miratimit të informuar.

 

Shoqata Europiane për Psikoterapi (EAP)
Vienë, Korrik 2002